{1:1} Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, {1:2} për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura; {1:3} për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, {1:4} për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut. {1:5} I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta, {1:6} për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta. {1:7} Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin. {1:8} Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate, {1:9} sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde. {1:10} Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano, {1:11} në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak; {1:12} le t’i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë; {1:13} ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka; {1:14} ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme"; {1:15} biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre, {1:16} sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak. {1:17} Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh; {1:18} por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. {1:19} Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë. {1:20} Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe; {1:21} ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit; {1:22} "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t’ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen? {1:23} Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia. {1:24} Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, {1:25} përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time, {1:26} edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani, {1:27} kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi. {1:28} Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë. {1:29} Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit, {1:30} nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia. {1:31} Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre. {1:32} Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk; {1:33} por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe". {2:1} Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, {2:2} duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; {2:3} po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, {2:4} në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, {2:5} atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. {2:6} Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja. {2:7} Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri {2:8} për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij. {2:9} Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës. {2:10} Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, {2:11} të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, {2:12} për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, {2:13} nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ, {2:14} që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq, {2:15} shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha, {2:16} për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, {2:17} që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë. {2:18} Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. {2:19} Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës. {2:20} Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve. {2:21} Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; {2:22} por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj. {3:1} Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, {3:2} sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. {3:3} Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; {3:4} do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. {3:5} Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; {3:6} pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. {3:7} Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; {3:8} kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. {3:9} Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; {3:10} hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. {3:11} Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, {3:12} sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. {3:13} Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. {3:14} Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. {3:15} Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. {3:16} Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. {3:17} Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. {3:18} Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. {3:19} Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë. {3:20} Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë. {3:21} Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit. {3:22} Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde. {3:23} Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet. {3:24} Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël. {3:25} Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë, {3:26} sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak. {3:27} Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh. {3:28} Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër," kur e ke me vete gjënë e nevojshme. {3:29} Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty. {3:30} Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe. {3:31} Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij, {3:32} sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm. {3:33} Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve. {3:34} Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit. {3:35} Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend. {4:1} Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, {4:2} sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim. {4:3} Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime, {4:4} ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. {4:5} Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; {4:6} mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. {4:7} Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. {4:8} Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson. {4:9} Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie". {4:10} Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. {4:11} Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. {4:12} Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. {4:13} Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote. {4:14} Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; {4:15} evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. {4:16} Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; {4:17} ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës. {4:18} Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. {4:19} Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë. {4:20} Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; {4:21} mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; {4:22} sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. {4:23} Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës. {4:24} Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura. {4:25} Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. {4:26} Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. {4:27} Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja. {5:1} Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim, {5:2} me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë. {5:3} Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; {5:4} por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa. {5:5} Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol. {5:6} Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton. {5:7} Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime. {5:8} Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, {5:9} për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. {5:10} Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, {5:11} dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar, {5:12} dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime? {5:13} Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin. {5:14} U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit". {5:15} Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. {5:16} A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? {5:17} Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty. {5:18} Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. {5:19} Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të. {5:20} Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? {5:21} Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij. {5:22} I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. {5:23} Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij. {6:1} Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj, {6:2} je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate. {6:3} Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt. {6:4} Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua; {6:5} çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë. {6:6} Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. {6:7} Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; {6:8} e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes. {6:9} Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt? {6:10} Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, {6:11} kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur. {6:12} Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur; {6:13} luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta; {6:14} ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje. {6:15} Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër. {6:16} Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: {6:17} sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, {6:18} zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, {6:19} dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve. {6:20} Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. {6:21} Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate. {6:22} Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty. {6:23} Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës, {6:24} për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj. {6:25} Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. {6:26} Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri. {6:27} A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? {6:28} A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij? {6:29} Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. {6:30} Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur; {6:31} por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij. {6:32} Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. {6:33} Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë. {6:34} sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. {6:35} Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t’i bëjnë shumë dhurata. {7:1} Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde, {7:2} Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu. {7:3} Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate. {7:4} Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin, {7:5} me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare. {7:6} Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri {7:7} dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s’kishte gjykim, {7:8} që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj, {7:9} në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët. {7:10} I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake; {7:11} ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t’i mbajë këmbët në shtëpinë e saj; {7:12} herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe. {7:13} Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha: {7:14} "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia; {7:15} prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta. {7:16} E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti; {7:17} e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë. {7:18} Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie, {7:19} sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë; {7:20} ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë". {7:21} Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj. {7:22} Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait, {7:23} deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij. {7:24} Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime. {7:25} Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj, {7:26} sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë. {7:27} Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes. {8:1} A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet? {8:2} Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve; {8:3} bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve; {8:4} "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. {8:5} Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë. {8:6} Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. {8:7} Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. {8:8} Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur. {8:9} Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen. {8:10} Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur, {8:11} sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të. {8:12} Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. {8:13} Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. {8:14} Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. {8:15} Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. {8:16} Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës. {8:17} Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë. {8:18} Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. {8:19} Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. {8:20} Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, {8:21} për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre. {8:22} Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. {8:23} U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte. {8:24} Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm. {8:25} Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave, {8:26} kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut. {8:27} Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës, {8:28} kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës, {8:29} kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut, {8:30} unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; {8:31} kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve. {8:32} Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! {8:33} Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! {8:34} Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. {8:35} Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit. {8:36} Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen". {9:1} Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. {9:2} Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. {9:3} Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: {9:4} "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë: {9:5} "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. {9:6} Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes". {9:7} Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara. {9:8} Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë. {9:9} Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij. {9:10} Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. {9:11} Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete. {9:12} Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti. {9:13} Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë. {9:14} Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit, {9:15} për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre: {9:16} "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë: {9:17} "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme". {9:18} Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit. {10:1} Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet. {10:2} Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja. {10:3} Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve. {10:4} Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh. {10:5} Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp. {10:6} Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve. {10:7} Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet. {10:8} Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet. {10:9} Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar. {10:10} Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet. {10:11} Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve. {10:12} Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet. {10:13} Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend. {10:14} Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë. {10:15} Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre. {10:16} Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit. {10:17} Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb. {10:18} Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla. {10:19} Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë. {10:20} Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak. {10:21} Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend. {10:22} Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje. {10:23} Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend. {10:24} Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë. {10:25} Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm. {10:26} Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë. {10:27} Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen. {10:28} Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket. {10:29} Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi. {10:30} I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë. {10:31} Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet. {10:32} Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura. {11:1} Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen. {11:2} Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë. {11:3} Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t’i shkatërrojë këta. {11:4} Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja. {11:5} Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij. {11:6} Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre. {11:7} Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet. {11:8} I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin. {11:9} Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre. {11:10} Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi. {11:11} Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim. {11:12} Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht. {11:13} Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato. {11:14} Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve. {11:15} Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt. {11:16} Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri. {11:17} Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij. {11:18} I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt. {11:19} Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen. {11:20} Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai. {11:21} Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë. {11:22} Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend. {11:23} Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi. {11:24} Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër. {11:25} Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu. {11:26} Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet. {11:27} Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t’i bjerë mbi të. {11:28} Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe. {11:29} Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra. {11:30} Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë. {11:31} Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari! {12:1} Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla. {12:2} Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija. {12:3} Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë. {12:4} Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij. {12:5} Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi. {12:6} Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t’i çlirojë. {12:7} Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë. {12:8} Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet. {12:9} Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë. {12:10} I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore. {12:11} Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend. {12:12} I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt. {12:13} Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t’i shpëtojë fatkeqësisë. {12:14} Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij. {12:15} Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë. {12:16} Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin. {12:17} Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime. {12:18} Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim. {12:19} Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast. {12:20} Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim. {12:21} Asnjë e keqe nuk do t’i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe. {12:22} Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij. {12:23} Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre. {12:24} Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t’i nënshtrohet punës së detyrueshme. {12:25} Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë. {12:26} I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin. {12:27} Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme. {12:28} Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje. {13:1} Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin. {13:2} Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë. {13:3} Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit. {13:4} Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht. {13:5} I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet. {13:6} Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin. {13:7} Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri. {13:8} Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim. {13:9} Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet. {13:10} Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave. {13:11} Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo. {13:12} Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës. {13:13} Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet. {13:14} Mësimet e të urtit janë burim jete për t’i evituar dikujt leqet e vdekjes. {13:15} Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm. {13:16} Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij. {13:17} Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim. {13:18} Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet. {13:19} Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja. {13:20} Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq. {13:21} E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën. {13:22} Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin. {13:23} Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie. {13:24} Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë. {13:25} I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria. {14:1} Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta. {14:2} Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë. {14:3} Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre. {14:4} Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut. {14:5} Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra. {14:6} Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend. {14:7} Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij. {14:8} Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim. {14:9} Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja. {14:10} Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj. {14:11} Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë. {14:12} Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes. {14:13} Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje. {14:14} Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij. {14:15} Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij. {14:16} Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull. {14:17} Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer. {14:18} Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije. {14:19} Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve. {14:20} Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues. {14:21} Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur. {14:22} A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën. {14:23} Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri. {14:24} Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi. {14:25} Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra. {14:26} Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi. {14:27} Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes. {14:28} Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve. {14:29} Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij. {14:30} Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave. {14:31} Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë. {14:32} I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij. {14:33} Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh. {14:34} Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve. {14:35} Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi. {15:1} Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin. {15:2} Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira. {15:3} Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët. {15:4} Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin. {15:5} Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi. {15:6} Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe. {15:7} Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve. {15:8} Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij. {15:9} Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë. {15:10} Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur. {15:11} Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve! {15:12} Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët. {15:13} Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet. {15:14} Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi. {15:15} Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë. {15:16} Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime. {15:17} Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje. {15:18} Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet. {15:19} Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë. {15:20} Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën. {15:21} Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt. {15:22} Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh. {15:23} Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur! {15:24} Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë. {15:25} Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve. {15:26} Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra. {15:27} Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar. {15:28} Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija. {15:29} Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve. {15:30} Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat. {15:31} Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët. {15:32} Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë. {15:33} Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia. {16:1} Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. {16:2} Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. {16:3} Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. {16:4} Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. {16:5} Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t’i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. {16:6} Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. {16:7} Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. {16:8} Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. {16:9} Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. {16:10} Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. {16:11} Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. {16:12} Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. {16:13} Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. {16:14} Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. {16:15} Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. {16:16} Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend. {16:17} Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. {16:18} Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. {16:19} Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. {16:20} Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. {16:21} I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. {16:22} Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. {16:23} Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. {16:24} Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. {16:25} Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. {16:26} Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. {16:27} Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. {16:28} Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. {16:29} Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. {16:30} Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. {16:31} Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. {16:32} Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. {16:33} Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti. {17:1} Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje. {17:2} Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit. {17:3} Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti. {17:4} Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur. {17:5} Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. {17:6} Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre. {17:7} Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare, {17:8} Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del. {17:9} Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë. {17:10} Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai. {17:11} Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor. {17:12} Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij. {17:13} E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen. {17:14} Të fillosh një grindje është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet. {17:15} Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin. {17:16} Ç’duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare? {17:17} Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira. {17:18} Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij. {17:19} Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim. {17:20} Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe. {17:21} Atij që i lind një budalla do t’i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim. {17:22} Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat. {17:23} I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë. {17:24} Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut. {17:25} Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur. {17:26} Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre. {17:27} Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur. {17:28} Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar. {18:1} Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë. {18:2} Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij. {18:3} Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi. {18:4} Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar. {18:5} Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq. {18:6} Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje. {18:7} Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij. {18:8} Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë. {18:9} Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit. {18:10} Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri. {18:11} Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë. {18:12} Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia. {18:13} Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet. {18:14} Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar? {18:15} Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë. {18:16} Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve. {18:17} I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton. {18:18} Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit. {18:19} Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje. {18:20} Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij. {18:21} Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj. {18:22} Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti. {18:23} I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi. {18:24} Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla. {19:1} Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla. {19:2} Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë. {19:3} Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit. {19:4} Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij. {19:5} Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim. {19:6} Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata. {19:7} Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t’u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më. {19:8} Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën. {19:9} Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë. {19:10} Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat. {19:11} Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet. {19:12} Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar. {19:13} Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme. {19:14} Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti. {19:15} Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria. {19:16} Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur. {19:17} Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë. {19:18} Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij. {19:19} Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë. {19:20} Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua. {19:21} Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar. {19:22} Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar. {19:23} Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe. {19:24} Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë. {19:25} Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri. {19:26} Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp. {19:27} Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë. {19:28} Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë. {19:29} Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve. {20:1} Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë. {20:2} Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet. {20:3} Éshtë një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to. {20:4} Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë. {20:5} Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë. {20:6} Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik? {20:7} I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij. {20:8} Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe. {20:9} Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"? {20:10} Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin. {20:11} Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme. {20:12} Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti. {20:13} Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh. {20:14} "Éshtë i keq, është i keq," thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen. {20:15} Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar. {20:16} Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj. {20:17} Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje. {20:18} Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta. {20:19} Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër. {20:20} Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh. {20:21} Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund. {20:22} Mos thuaj: "Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë. {20:23} Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë. {20:24} Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet? {20:25} Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet. {20:26} Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën. {20:27} Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës. {20:28} Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë. {20:29} Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre. {20:30} Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve. {21:1} Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai. {21:2} Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat. {21:3} Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi. {21:4} Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat. {21:5} Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri. {21:6} Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen. {21:7} Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë. {21:8} Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht. {21:9} Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. {21:10} Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij. {21:11} Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije. {21:12} I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij. {21:13} Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje. {21:14} Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë. {21:15} Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi. {21:16} Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve. {21:17} Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet. {21:18} I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë. {21:19} Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese. {21:20} Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla. {21:21} Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë. {21:22} I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim. {21:23} Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë. {21:24} Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar. {21:25} Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë. {21:26} Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë. {21:27} Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq. {21:28} Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë. {21:29} I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij. {21:30} Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit. {21:31} Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit. {22:1} Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari. {22:2} I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti. {22:3} Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen. {22:4} Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta. {22:5} Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre. {22:6} Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket. {22:7} I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit. {22:8} Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet. {22:9} Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit. {22:10} Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë. {22:11} Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin. {22:12} Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit. {22:13} Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës". {22:14} Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të. {22:15} Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj. {22:16} Ai që shtyp të varfërin për t’u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet. {22:17} Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime. {22:18} sepse për ty do të jetë e këndshme t’i ruash në intimitetin tënd dhe t’i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua. {22:19} Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty. {22:20} A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë, {22:21} në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t’u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë? {22:22} Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta, {22:23} sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur. {22:24} Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak, {22:25} që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd. {22:26} Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve. {22:27} Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes? {22:28} Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu. {22:29} A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur. {23:1} Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara; {23:2} dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh. {23:3} Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues. {23:4} Mos u lodh për t’u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt. {23:5} A do t’i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit. {23:6} Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme; {23:7} sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty. {23:8} Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla. {23:9} Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate. {23:10} Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve, {23:11} sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje. {23:12} Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë. {23:13} Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë; {23:14} do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli. {23:15} Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë; {23:16} zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta. {23:17} Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit; {23:18} sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. {23:19} Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë. {23:20} Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit; {23:21} sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka. {23:22} Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë. {23:23} Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim. {23:24} Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin. {23:25} Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur. {23:26} Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia. {23:27} Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë. {23:28} Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë. {23:29} Për cilin janë "ah-ët," për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur? {23:30} Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar. {23:31} Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë! {23:32} Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër. {23:33} Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura. {23:34} Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes. {23:35} Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t’i kërkoj përsëri!". {24:1} Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta, {24:2} sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen. {24:3} Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi. {24:4} Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme. {24:5} Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij. {24:6} Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja. {24:7} Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit. {24:8} Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash. {24:9} Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit. {24:10} Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët. {24:11} Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore. {24:12} Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim," ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t’i japë secilit simbas veprave të tij. {24:13} Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde. {24:14} Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet. {24:15} O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon, {24:16} sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi. {24:17} Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet, {24:18} me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet. {24:19} Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët, {24:20} sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket. {24:21} Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë; {24:22} mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh? {24:23} Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim. {24:24} Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë," do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin. {24:25} Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira. {24:26} Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët. {24:27} Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde. {24:28} Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua. {24:29} Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t’ia bëj edhe unë; do t’ia kthej simbas sjelljes së tij". {24:30} Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend; {24:31} dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur. {24:32} Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim: {24:33} të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar; {24:34} kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur. {25:1} Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës. {25:2} Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë. {25:3} Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm. {25:4} Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin. {25:5} Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi. {25:6} Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj, {25:7} sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart," se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë. {25:8} Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp. {25:9} Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri, {25:10} me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë. {25:11} Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi. {25:12} Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar. {25:13} Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij. {25:14} Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi. {25:15} Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat. {25:16} Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh. {25:17} Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë. {25:18} Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë. {25:19} Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur. {25:20} Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën. {25:21} Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë, {25:22} sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë. {25:23} Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar. {25:24} Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece. {25:25} Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur. {25:26} I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur. {25:27} Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi. {25:28} Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure. {26:1} Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait. {26:2} Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt. {26:3} Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve. {26:4} Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai. {26:5} Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë. {26:6} Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë. {26:7} Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve. {26:8} Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja. {26:9} Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri. {26:10} Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve. {26:11} Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij. {26:12} A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të. {26:13} Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!". {26:14} Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij. {26:15} Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja. {26:16} Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend. {26:17} Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen. {26:18} Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje, {26:19} kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!". {26:20} Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund. {26:21} Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet. {26:22} Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve. {26:23} Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte. {26:24} Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin. {26:25} Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër. {26:26} Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend. {26:27} Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të. {26:28} Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin. {27:1} Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë. {27:2} Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua. {27:3} Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë. {27:4} Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t’i bëjë ballë xhelozisë? {27:5} Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur. {27:6} Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku. {27:7} Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël. {27:8} Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij. {27:9} Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta. {27:10} Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg. {27:11} Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje. {27:12} Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen. {27:13} Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj. {27:14} Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t’ia zënë si mallkim. {27:15} Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës. {27:16} Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë. {27:17} Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij. {27:18} Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet. {27:19} Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun. {27:20} Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve. {27:21} Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr. {27:22} Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij. {27:23} Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua, {27:24} sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi. {27:25} Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve, {27:26} qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are {27:27} dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua. {28:1} I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan. {28:2} Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë. {28:3} Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë. {28:4} Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata. {28:5} Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë. {28:6} Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur. {28:7} Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij. {28:8} Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit. {28:9} Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme. {28:10} Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën. {28:11} I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye. {28:12} Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen. {28:13} Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën. {28:14} Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi. {28:15} Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur. {28:16} Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t’i zgjatur ditët e tij. {28:17} Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë! {28:18} Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas. {28:19} Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe. {28:20} Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj. {28:21} Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë. {28:22} Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria. {28:23} Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë. {28:24} Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat," është shok i atij që shkatërron. {28:25} Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi. {28:26} Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë. {28:27} Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime. {28:28} Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen. {29:1} Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër. {29:2} Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon. {29:3} Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet. {29:4} Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim. {29:5} Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij. {29:6} Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet. {29:7} I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim. {29:8} Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin. {29:9} Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe. {29:10} Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij. {29:11} Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul. {29:12} Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë. {29:13} I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve. {29:14} Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë. {29:15} Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet. {29:16} Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre. {29:17} Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t’i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd. {29:18} Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin. {29:19} Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet. {29:20} A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai. {29:21} Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij. {29:22} Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate. {29:23} Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi. {29:24} Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë. {29:25} Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar. {29:26} Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti. {29:27} Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët. {30:1} Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal. {30:2} Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu. {30:3} Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit. {30:4} Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di? {30:5} Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai. {30:6} Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar. {30:7} Unë të kërkova dy gjëra; mos m’i moho para se të vdes: {30:8} largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, {30:9} me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: "Kush është Zoti?," ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim. {30:10} Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor. {30:11} Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre. {30:12} Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet. {30:13} Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare. {30:14} Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve. {30:15} Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!". {30:16} Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!". {30:17} Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t’i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës. {30:18} Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh: {30:19} gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë. {30:20} Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!". {30:21} Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë: {30:22} një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk, {30:23} një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës. {30:24} Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta: {30:25} mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë; {30:26} lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë; {30:27} karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe; {30:28} hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve. {30:29} Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore; {30:30} luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt, {30:31} kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij. {30:32} Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë, {30:33} sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja. {31:1} Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma. {31:2} Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia? {31:3} Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit. {31:4} Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse, {31:5} sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve. {31:6} Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar. {31:7} Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij. {31:8} Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore. {31:9} Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit. {31:10} Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve. {31:11} Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime. {31:12} Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj. {31:13} Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta. {31:14} Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg. {31:15} Çohet që me natë për t’i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t’u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj. {31:16} Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht. {31:17} Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj. {31:18} E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet. {31:19} Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin. {31:20} I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit. {31:21} Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë. {31:22} Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta. {31:23} Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit. {31:24} Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët. {31:25} Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë. {31:26} Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. {31:27} Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë. {31:28} Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: {31:29} "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato". {31:30} Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet. {31:31} I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.