{1:1} Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit. {1:2} Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj. {1:3} Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive. {1:4} Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim. {1:5} Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut. {1:6} Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin. {1:7} Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij. {1:8} Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa. {1:9} Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihett". {1:10} Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd. {1:11} Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre {1:12} "Asgjë e tillë mos t’ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë. {1:13} Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia. {1:14} Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t’u bëj ballë. {1:15} Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës. {1:16} Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar". {1:17} Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër. {1:18} Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri. {1:19} Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre. {1:20} Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje. {1:21} Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë. {1:22} Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon. {2:1} Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij. {2:2} Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj. {2:3} Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark. {2:4} Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr. {2:5} Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës. {2:6} Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj. {2:7} Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne. {2:8} Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë. {2:9} Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti. {2:10} Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre. {2:11} Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit. {2:12} Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?," ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre. {2:13} Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë? {2:14} Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese. {2:15} Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur," "gëzimi i tërë tokës"?". {2:16} Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim". {2:17} Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu. {2:18} Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj. {2:19} Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve". {2:20} "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij? {2:21} Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë. {2:22} Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im". {3:1} Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij. {3:2} Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë. {3:3} Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën. {3:4} Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia. {3:5} Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth. {3:6} Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe. {3:7} Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim. {3:8} Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time. {3:9} Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita. {3:10} Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta. {3:11} Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar. {3:12} Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij. {3:13} Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij. {3:14} Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës. {3:15} Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin. {3:16} Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi. {3:17} Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien. {3:18} Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti". {3:19} Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin. {3:20} Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje. {3:21} Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj. {3:22} Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. {3:23} Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote. {3:24} "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai. {3:25} Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon. {3:26} Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit. {3:27} Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij. {3:28} Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon. {3:29} Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë. {3:30} Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje. {3:31} Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë; {3:32} por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij, {3:33} sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve. {3:34} Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut, {3:35} kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit, {3:36} kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti? {3:37} Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar? {3:38} E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit? {3:39} Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij? {3:40} Le të shqyrtojmë rrugët tona, t’i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti. {3:41} Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve. {3:42} Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur. {3:43} Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë. {3:44} Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot. {3:45} Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve. {3:46} Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh. {3:47} Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi. {3:48} Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim. {3:49} Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje, {3:50} deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë. {3:51} Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim. {3:52} Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog. {3:53} Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë. {3:54} Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua". {3:55} Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës. {3:56} Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë. {3:57} Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!" {3:58} O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time. {3:59} O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time! {3:60} Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje. {3:61} Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje, {3:62} fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën. {3:63} Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre. {3:64} Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre. {3:65} Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta. {3:66} Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit. {4:1} Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve. {4:2} Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit? {4:3} Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës. {4:4} Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t’ua japë atyre. {4:5} Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten. {4:6} Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj. {4:7} Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir. {4:8} Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru. {4:9} Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës. {4:10} Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim. {4:11} Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij. {4:12} Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit. {4:13} Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë. {4:14} Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre. {4:15} Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu". {4:16} Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë. {4:17} Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte. {4:18} Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur. {4:19} Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë. {4:20} Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve". {4:21} Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde. {4:22} Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua. {5:1} Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë. {5:2} Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët. {5:3} Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja. {5:4} Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë. {5:5} Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim. {5:6} I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t’u ngopur me bukë. {5:7} Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre. {5:8} Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre. {5:9} E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës. {5:10} Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë. {5:11} Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës. {5:12} Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar. {5:13} Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve. {5:14} Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre. {5:15} Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi. {5:16} Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar! {5:17} Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë: {5:18} për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat. {5:19} Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi. {5:20} Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë? {5:21} Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën. {5:22} Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?